FLAMUR HOXHA

Ajo bashkon Gorozhupin me Pogajn, dy fshatra dikur të ndarë padrejtësisht

Falënderim për Kryeministrin Albin Kurti dhe institucionet e Kosovës për rrugën Gorozhup–Pogaj.

Sot mora pjesë në inaugurimin e kësaj rruge, një investim i Qeverisë së Kosovës që bashkon njerëzit e Hasit në të dy anët e kufirit politik mes Shqipërisë dhe Kosovës. Një projekt i rëndësishëm për banorët dhe për rajonet tona të mrekullueshme.

Kjo rrugë nuk është vetëm asfalt, por dëshmi e vullnetit politik të Qeverisë Kurti. Ajo bashkon Gorozhupin me Pogajn, dy fshatra dikur të ndarë padrejtësisht, banorët e të cilëve gjithmonë kanë ndarë të njëjtën krua uji dhe të njëjtën jetë, pavarësisht kufirit ndër dekada.

Ky investim, modest në pamje, por me vlerë të madhe njerëzore, është shembull se si shteti mund dhe duhet t’u shërbejë qytetarëve.

Ndërkohë që në më pak se një vit Qeveria e Kosovës investoi dhe lidh Blinishtë–Dobrunën, Kërstec–Zapodin e sot Pogajn me Gorozhupin, duke u dhënë mundësi zhvillimi banorëve, është e dhimbshme të themi se Qeveria e Shqipërisë e ka lënë Qarkun e Kukësit në harresë, sikur të mos ishte më territor i saj.