FLAMUR HOXHA

Nëntoka jep valutë, por mbi tokë mbetet varfëria

Në Komisionin për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural!

Prej dekadash, banorët në Arrën, Surroj dhe Kolsh protestojnë për rrugën e shkatërruar që lidh këto zona me Rrugën e Kombit.

Një rrugë që nuk është vetëm aks transporti —

është lidhje jetese, pune, shkolle, shprese.

Dhe çdo ditë që kalon pa investime, prej qendrës së Kukësit deri në çdo skaj,

është një ditë më shumë në errësirë dhe harresë për këta njerëz.

Diskutohet projektligji për sektorin minerar, për “kërkim–zbulim” dhe “shfrytëzim”,

por në asnjë nen nuk garantohet rehabilitimi i infrastrukturës, mjedisit dhe jetës së komuniteteve ku shfrytëzohet nëntoka.

Kompani që marrin miliarda nga pasuritë e Shqipërisë,

largohen pa lënë pas as rrugë, as dritë, as siguri për njerëzit.

Kemi greva për statusin e minatorit, kërkesa për paga dinjitoze dhe siguri në punë,

por shteti u përgjigjet me heshtje.

Renta minerare nuk shkon kurrë aty ku shfrytëzohen burimet.

Aty ku nxirret mineral, nuk ka ujë të pijshëm, nuk ka rrugë, nuk ka investim.

Ky është paradoksi shqiptar:

nëntoka jep valutë, por mbi tokë mbetet varfëria.