Vijon akoma në Shishtavec, në lagjen Gjute, Shtrezë, e njëjta situatë ku banorët prej shumë kohësh kërkojnë një ndërhyrje urgjente nga shteti i tyre. Kanë kërkuar zgjidhje, kanë kërkuar ndihmë, por askush nuk ka ardhur.
Këtu në Shtrezë, mbi 20 familje jetojnë të bllokuara. Rruga është e prishur, ura nuk ekziston dhe fëmijët detyrohen të kalojnë çdo mëngjes mbi një grumbull mbeturinash, të cilin e përdorin si urë për të shkuar në shkollë. Mbi 15 fëmijë ecin mbi plehra, me rrezikun e ujërave që u pret poshtë këmbëve. Ky është realiteti sot.
Janë sjellë para zgjedhjeve disa tuba aty sa për foto dhe u premtua se pas 11 majit rruga do të rregullohej. Asgjë nuk u bë. Sot banorët kanë ndërtuar vetë një urë druri, që fëmijët të mos mbeten krejt të izoluar.
Shpresa e vetme që ky komunitet të mos braktisë këtë zonë të bekuar është ndërhyrja urgjente e qeverisë dhe bashkisë. Ka mbaruar durimi, ka mbaruar logjika. Ky tmerr duhet të marrë fund sot.
Dhe nëse një rrugë kaq e thjeshtë nuk bëhet, si mund t’u thuhet shqiptarëve se do hyjmë në Europë? Europa fillon këtu, te këto 20 familje dhe te ata 15 fëmijë që çdo ditë sfidojnë rrezikun për të arritur në shkollë.
