FLAMUR HOXHA

Mes tyre, në anijen Legend, isha edhe unë

Sot bëhen 35 vite nga një nga momentet më dramatike të historisë sonë.

Si sot, 35 vite më parë, mijëra shqiptarë hipën në anije dhe morën rrugën drejt Italisë, në kërkim të lirisë dhe një jete më të mirë.

Brigjet e Brindizit u mbushën me shqiptarë të etur për botën e lirë, plot dëshirë dhe shpresë në sy.

Mes tyre, në anijen Legend, isha edhe unë, bashkë me mbi 5000 të tjerë që lamë familjen dhe atdheun drejt së panjohurës. Ishte një rrugë që në atë kohë dukej pa kthim, por e nisëm me besimin se liria dhe dinjiteti vlejnë çdo sakrificë.

Si shumë të rinj të atij brezi, pas dy vitesh larg familjes u ktheva dhe vendosa të vijoj jetën time në Shqipëri, duke punuar dhe kontribuar me dekada në vendin tim.

35 vite më pas, kujtimi i asaj dite mbetet dëshmi e një brezi që nuk u dorëzua përballë vështirësive dhe që pati guximin të kërkojë një horizont të ri. Ishte guximi i mijëra shqiptarëve që morën rrugën e emigrimit, punuan me ndershmëri, sakrifikuan për familjet e tyre dhe, me mundin e tyre, dhanë një kontribut të madh për familjet, komunitetet dhe për vetë Shqipërinë gjatë këtyre dekadave.

Mirënjohje e veçantë për popullin italian, për qytetin e Brindizit dhe për institucionet italiane, që në ato ditë të vështira treguan humanizëm, solidaritet dhe zemër të madhe ndaj shqiptarëve, duke na pritur, ndihmuar dhe duke na dhënë mundësinë të shpresonim për një fillim të ri.

Respekt dhe mirënjohje për atë brez shqiptarësh që nuk njohën kufij për lirinë dhe që, me punën e tyre, mbajtën gjallë shpresën dhe ndërtuan një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe për shqiptarët kudo në botë.