FLAMUR HOXHA

Sot, mbi 60% e asaj që paguajmë për një litër karburant janë taksa

Fjala ime në Parlament

7 Maj 2026

Të dashur qytetarë, të nderuar kolegë!

Sot po trajtojmë një temë që nuk është thjesht një numër në tabelat e pikave të furnizimit, por një peshë që rëndon mbi çdo tryezë shqiptare: krizën dhe çmimin e lartë të karburanteve.

Ajo që po shqyrtojmë sot nuk është një ndihmë e vërtetë, por një tallje e radhës e paketuar me terminologji teknike dhe gjoja “urgjencë” kushtetuese. Ne jemi këtu për të diskutuar një Akt Normativ që na shitet si shpëtim, ndërkohë që është thjesht një mjet për të mbajtur në këmbë një skemë zhvatjeje që pasuron qeverinë në kurriz të shqiptarëve më të varfër.

Nëse kthehemi pas në kohë, periudha pas vitit 2013 shënon një kthesë rrënjësore në mënyrën se si ne e paguajmë lëvizjen dhe prodhimin. Sot, Shqipëria renditet shpesh e gjithmonë në majat e listave europiane për çmimin më të lartë të naftës, duke sfiduar logjikën e fuqisë sonë blerëse dhe standardit të jetesës.

Ky ndryshim filloi me politika fiskale që goditën direkt xhepin e qytetarit:

Taksa e Qarkullimit dhe përfshirja e saj brenda çmimit të naftës ishte hapi i parë që e bëri karburantin tonë një nga produktet më të taksuara në rajon.

Sot, mbi 60% e asaj që paguajmë për një litër karburant janë taksa: akciza, taksa e karbonit, taksa e qarkullimit dhe TVSH-ja.

Kjo strukturë e ka kthyer naftën nga një mjet pune në një luks të detyruar.

Pse jemi në këtë gjendje? Arsyet janë sa të brendshme, aq edhe të jashtme:

Mungesa e një tregu plotësisht konkurrues dhe dyshimet për marrëveshje okulte bëjnë që çmimet të rriten me shpejtësinë e dritës kur bursa rritet, por të ulen me ritmin e breshkës kur bursa bie.

Pasiguria qe vjen nga pandemia Rilindje dhe nga luftërat në Ukrainë e tashmë në Iran e gjen Shqipërinë gjithmonë të pambrojtur.

Megjithëse u krijuan mekanizma si Bordi i Transparencës, ato shpesh u panë si mjete që thjesht legjitimuan çmimet e larta.

Paradoksi është që ne jemi një vend që nxjerr naftë nga nëntoka, por e paguajmë atë më shtrenjtë se vendet që nuk kanë asnjë pikë nafte, duke treguar dështimin e përpunimit vendas.

Qeveria na premton një ulje të akcizës me 20%, por le të shohim “shkronjat e vogla”:

Ulja aktivizohet vetëm nëse çmimi kalon 220 lekë për litër. Në 45 ditët e fundit, ky nivel është kaluar vetëm për 5 ditë; pra, në 90% të kohës, kjo ndihmë nuk ekziston.

Edhe kur pragu arrihet, ulja është vetëm 8 lekë të reja për litër. Kjo mbetet e pandryshuar edhe nëse çmimi shkon në 250 lekë.

Gjatë muajve mars dhe prill, shteti ka mbledhur mbi 10 milionë euro shtesë nga TVSH-ja vetëm për shkak të rritjes së çmimeve. Ky është një fitim i papritur që shteti e ka vjedhur nga xhepat e qytetarëve.

Kriza e karburantit nuk është vetëm problem i makinave private, ajo godet shtyllat e shoqërisë sonë:

Bujqësia dhe fermeri shqiptar paguajnë naftën më shtrenjtë se në rajon, duke e bërë prodhimin vendas më pak konkurrues, edhe pse nuk kanë lidhje me taksën e qarkullimit.

Shporta e konsumit, nga rritja e çmimit të naftës, është automatikisht rritje e çmimit të bukës, qumështit dhe mishit.

Varfërimi për familjet e shtresës së mesme po i detyron ato të zgjedhin mes lëvizjes dhe nevojave të tjera bazë.

Dhe këtu dua të ndalem në një pyetje për të gjithë, edhe si qytetar: përse për çmimet e produkteve të shportës nuk pranoni të ulni TVSH-në nga 20% në 5%? Pse Italia, një nga shtetet më të fuqishme, për ushqimet bazë e ka ulur TVSH-në nga 22% në 6%?

Cila është zgjidhja reale?

Nuk mund të mjaftohemi me justifikimin se “çmimet i cakton bursa”. Ne propozojmë masa, projektligjet nga kolegu Bozdo ne rend te dites qe ju ftoj ti votoni, do të sillnin një ulje të menjëhershme prej 35 lekësh për litër:

Reduktimi drastik i Taksës së Qarkullimit: ulja e saj nga 27 lekë/litër në 0.7 lekë/litër, duke e kthyer në nivelet e vitit 2013.

Modeli italian (akciza e lëvizshme): reduktimi i akcizës në mënyrë automatike për çdo tepricë të TVSH-së që krijohet nga rritja e çmimeve, pa pritur pragje qesharake.

Mbështetja për prodhimin: zerimi i akcizës për gazin LPG që përdoret si lëndë e parë në industri, për të mbrojtur eksportuesit tanë.

Subvencione reale: mbështetje direkte për sektorët jetikë si transporti publik dhe monitorim pa kompromis i tregut për të ndaluar abuzimet.

Të nderuar qytetarë e kolegë, energjia është motori i ekonomisë. Nëse nafta vazhdon të jetë “ari i zi” i paarritshëm, motori i zhvillimit tonë do të mbetet i fikur.

Në moton tuaj me taksa të larta e buxhet të madh vijon vjedhja galopante, siç ndodh dhe ju pyes: si ka mundësi që ndërtimi i autostradës Janinë-Kakavijë kushton 4.5 milionë euro/km, ndërsa për rrugët tona 20 milionë euro/km, sikur të jenë rrugët e projektuara nga shqiptari ynë Karl Gega në malet dhe tunelet e Austrisë?

Ne do të votojmë kundër kësaj lëmoshe dhe kërkojmë që Kuvendi të marrë në shqyrtim menjëherë propozimet tona për një ndihmë të vërtetë dhe të prekshme.

Është koha që politikat ekonomike të kthejnë sytë nga njerëzit, për të garantuar që lëvizja dhe prodhimi të mos jenë më një barrë e papërballueshme.

Ky Akt Normativ është i pamjaftueshëm, i vonuar dhe fyes për inteligjencën e shqiptarëve, ndaj ftoj nesër, ora 19:00, çdo shqiptar për të protestuar kundër qeverisë së Rilindjes që po varfëron e largon këdo nga vendi ynë.

Ju faleminderit!