Fjala më 4 qershor 2026.
E nderuar drejtuese e seances, kolege deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Të dashur qytetarë shqiptarë dhe veçanërisht ju, pensionistë që na ndiqni nga shtëpitë tuaja.
Sot kemi përpara një projektligj për ratifikimin e marrëveshjes së sigurimeve shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Polonisë. Që në krye të herës, dua ta bëj të qartë qëndrimin tim qe mbështet në parim këtë iniciativë. E mbështesim sepse çdo marrëveshje që mbron sado pak interesat e emigrantëve tanë, që u njeh atyre djersën dhe u garanton pensionet e pleqërisë, invaliditetit, familjare, apo përfitimet nga sëmundjet e papunësia, është një detyrim që shteti ua ka borxh qytetarëve të tij.
Sidoqoftë, të nderuar kolegë, teksa ne sot votojmë për të garantuar të drejtat e atyre pak shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Poloni, është detyra jonë ulëritëse të kthejmë sytë nga realiteti i dhimbshëm këtu, brenda kufijve tanë.
Ndaj shtroj disa pyetje ndaj jush:
A ndiheni krenar per trajtimin e moshes se trete?
Cili ka qene vizioni I qeverisje mbi nje dekade?
A mbrohen realisht ne kuvend qytetaret tane ketu, ne Shqiperi?
Është e moralshme të flasim për pensionet në Varshavë, Rome apo Prishtine, kur këtu në Tiranë, ne Kukes, Shkodër e Vlorë e në çdo cep të Shqipërisë, pensionistët tanë po trajtohen me një përbuzje dhe braktisje të pashembullt nga qeveria e "Rilindjes"?
Le t'i referohemi shifrave të vërteta që zhveshin lakuriq propagandën tuaj.
Na flisni për suksese e reforma, por le të shohim se çfarë ka ndryshuar realisht nga viti 2013, kur morët pushtetin, e deri më sot, në vitin 2026:
Pensioni mesatar urban 14,100 lek (2013) ne sot 19400 lek, pra + 5300 lek me shume ne 13 vite qeverisjes rilindje ose 400 lek ne vit shtese.
Pensioni mesatar rural 7600 lek (2013) ne sot 11700 lek, pra + 4100 lek me shume ne 13 vite qeverisjes rilindje ose 300 lek ne vit shtese.
Pak shtese me bonuset elektorale te fund vitit ,per mos te flasim me tej per pensione te parakohshme ose pensionet sociale.
Le te krahasojme pensionet ne Shqiperi me Polonine ku pensioni mesatar eshte 800 euro ne 4-7 here me shume , me Italine ku pensioni mesatar eshte 1200 euro ne 6-10 here me shume por edhe me Kosoven ku me asnje dite pune marrin pensionet ruraledhe pensioni mesatar urban eshte 20% me shume.
Ku është rritja këtu? Ku është suksesi? Kjo nuk është rritje, kjo është lënie në vend numëro! Gjatë kësaj periudhe, çmimet e ushqimeve bazë, të ilaçeve, të energjisë dhe të jetesës janë dyfishuar dhe trefishuar. Me vlerën e pensionit të sotëm në vitin 2026, një pensionist blen shumë më pak produkte shporte sesa blinte në vitin 2013! Çdo "indeksim" apo shtesë qesharake prej 700 deri në 1800 lekësh që ju sapo keni miratuar me buxhetin e vitit 2026, është thjesht një tallje e radhës që zhvlerësohet brenda ditës nga inflacioni galopant.
Që nga viti 2013 e deri më sot në plot 13 vite të këtij regjimi bilanci i politikave sociale të kësaj qeverie ndaj moshës së tretë është një dështim katastrofik.
Varfëri e thellë ku pjesa dërrmuese e pensionistëve shqiptarë sot nuk jetojnë, por mbijetojnë. Pensionet e tyre nuk mjaftojnë as për të mbyllur gjysmën e muajit.
Mungesë e rritjes reale për 13 vite me radhë, ajo që qeveria e quan "rritje" ka qenë thjesht një lëmoshë që nuk ka mbuluar as normën reale të rritjes së çmimeve. Rritje reale të pensioneve në Shqipëri nuk ka pasur.
Mungesë e shërbimeve bazike qe moshen e tretë e kane lënë tërësisht në harresë, pa asnjë shërbim social e mbështetës dinjitoz nga ana e bashkive apo shtetit.
Kriza shëndetësore dhe ilaçet per pensionistët tanë qe sot përballen me një sistem shëndetësor të rrënuar. Paratë e pensionit u shkojnë për të blerë ilaçe jo-cilësore, të cilat shpesh nuk rimbursohen, duke i detyruar ata të zgjedhin mes bukës së gojës dhe mjekimit për të mbajtur frymën gjallë.
Nga viti 2013 e deri sot, ky pushtet ka pasur vetëm një program: pasurimin e një grupi pushtetaresh e oligarkësh përmes koncesioneve dhe PPP-ve korruptive, duke lënë ne lemoshe popullin. Ndërsa qindra miliona euro vidhen dhe zhduken në inceneratorë fantazmë e rrugë që kushtojnë dhjetë herë më shtrenjtë se në Evropë, për prindërit tanë, për ata që ndërtuan këtë vend, qeveria thotë "nuk ka fonde". Sot ju premtoni se në vitin 2029 pensioni do të shkojë 400 euro – një premtim elektoral i ricikluar, teksa sot në vitin 2026, për më shumë se dy të tretat e pensionistëve, kjo shifër mbetet një ëndërr plotësisht e paarritshme.
Kjo nuk është thjesht keqqeverisje, kjo është një papërgjegjshmëri humane!
Ne nuk kemi qëndruar dhe nuk do të qëndrojmë duarkryq përballë kësaj masakre sociale. Ne i kemi paraqitur dhe do të vazhdojmë t'i kërkojmë med ngulm amendamentet tona ligjore:
Miratimin e Minimumit Jetik: Asnjë pension dhe asnjë pagesë sociale në Republikën e Shqipërisë të mos jetë nën nivelin e minimumit jetik të llogaritur zyrtarisht.
Rritjen Reale të Pensioneve: Një plan konkret dhe të financueshëm për rritjen e vërtetë të pensioneve, duke transferuar paratë e luksit qeveritar dhe të korrupsionit direkt te xhepat e pensionistëve.
Politika reale: Me mbeshtetje per sipermardhjen e ndershme qe krijon mijera vende pune e si rrjedhim me shume kontribut e te ardhura per fondin e sigurimeve shoqerore.
Të nderuar deputetë.
Une do ta votoj këtë marrëveshje me Poloninë, sepse ne mendojmë për shqiptarët kudo që janë. Por kjo votë pro nuk e lan turpin e kësaj qeverie, e cila ka ndërtuar një shtëpi ku prindërit e saj trajtohen as si të huaj në vendin e tyre.
Është koha t'i japim fund kësaj politike të braktisjes. Shqipëria ka para, por paratë duhet të shkojnë te njerëzit, te pensionistët, e jo te xhepat e pushtetarëve të korruptuar!
Faleminderit!
