Banorët e Kukësit e veçanërisht të zonave Shtiqën dhe Nangë, që protestojnë sot para Bashkisë së Kukësit, nuk po kërkojnë asgjë më shumë se ujin që u duhet për të mbajtur gjallë tokën dhe të mbjellat e tyre.
Kanë mbjellë me mund, kanë shpenzuar nga të ardhurat e familjes dhe kanë punuar për muaj me radhë. Tani, në kulmin e sezonit, rrezikojnë të shohin gjithë atë punë të shkojë dëm vetëm sepse uji nuk mbërrin aty ku duhet.
Kjo është ajo që e bën situatën edhe më të rëndë. Kukësi ka lumenj, liqen, borë e burime ujore, por ka familje që vuajnë për ujë në parcela dhe në rubineta.
Banorët kanë ngritur shqetësimin edhe për mënyrën si po shfrytëzohen burimet ujore nga hidrocentralet dhe për mosrespektimin e detyrimeve gjatë sezonit të vaditjes. Këto janë çështje që duhen kontrolluar dhe sqaruar nga institucionet përgjegjëse, jo të lihen në kurriz të fermerëve.
Si në shumë gjëra të tjera që ndodhin në Kukës, rregullat ndryshojnë në mes të lojës, ndërsa pasojat i vuajnë gjithmonë banorët. Vendime që merren larg tyre, pa menduar për jetën dhe ekonominë e zonës, vetëm sa e shtojnë ndjesinë se Kukësi po lihet pas dore dhe po nxitet çdo ditë e më shumë shpopullimi.
I bëj thirrje pushtetit vendor dhe atij qendror që të ndërhyjnë dhe të japin një zgjidhje reale. Të kontrollohen kontratat, të kontrollohet mënyra si menaxhohet uji dhe të garantohet furnizimi për fshatrat dhe tokat bujqësore.
Sepse për këta njerëz nuk bëhet fjalë thjesht për disa parcela. Është puna e një viti, është mundi i familjes dhe, për shumë prej tyre, është mënyra si sigurojnë jetesën.
Nuk mund të ketë ujë që kalon pranë tyre, ndërsa toka u thahet para syve.